Anderlecht merr kreun

21/04/2016 00:00

Anderlecht ka barazuar 1-1 në transfertën ndaj Gent duke marrë edhe kryesimin e Jupiler League. Në të vërtetë, skuadra e drejtuar nga gjakovari Besnik Hasi është me pikë të barabarta me Club Brugge, por janë pozicionuar në vendin e parë falë golaverazhit.

Pas një pjese të parë pa gola, Anderlecht gjeti i pari golin në minutën e 64 me Nuytinck, i cili shfrytëzoi një reagim jo të mirë të portierit vendas për të çuar topin në rrjetë.

Megjithatë, epërsia e kryeqytetasve nuk zgjati shumë, pasi vendasit arritën të barazojnë 4 minuta më vonë. Seif ishte i saktë nga pika e bardhë, duke çuar shifrat në 1-1.

Deri në fund të kampionatit, i cili është në fazën e “play-off”-it, kanë ngelur edhe 6 ndeshje. Edhe në vitin 2014, Hasi udhëhoqi të tijtë drejt titullit pasi përmbysi gjithçka në fazën e “play-off”.

Gjithsesi, Hasi ka qenë në presion të vazhdueshëm këtë sezon, me mediat belge që raportojnë se trajneri do të largohet në fund të këtij sezoni dhe në rast se De Biasi largohet nga Kombëtarja, ai është në krye të listës së trajnerëve për ta zëvendësuar italianin në stolin kuqezi.

Top Channel