Në përfundim të 26 seancave gjyqësore me dyer të mbyllura, Gjykata e Krimeve të Rënda ka shpallur vendimin për kolumbianin Cesar Triana.
Trupa gjyqësore dha të njëjtën masë dënimi, prej 15 vjet burg, që kishte kërkuar në pretencë prokuroria. Kolumbiani Triana kishte ardhur në vendin tonë për të marrë gati 1 milion euro që do t’u dorëzoheshin dy kolumbianëve të tjerë që po trafikonin një ngarkesë droge nga vendet e Amerikës Latine drejt Evropës.
Arrestimi i tij u krye në Rinas teksa po largohej, pasi ishte informuar se ngarkesa prej 246 kg kokainë ishte bllokuar në Malin e Zi, ndërkohë që firma që po kryente transportin doli e papërfshirë.
Kjo, pasi hetimi gjyqësor provoi se firma shqiptare kishte porositur banane në Ekuador dhe ishte e paimplikuar në këtë rrjet trafikimi ndërkombëtar të drogës.
Kapja e kësaj droge dy vite më parë shkaktoi debate të ashpra mes opozitës dhe qeverisë së akuzuar prej saj, se kishte dekonspiruar aksionin me qëllim që të fshihej porositësi, ndersa vetë policia deklaroi se droga kishte si qëllim të shkonte drejt Italisë nga portet malazeze.
Top Channel