Ecclestone kundër femrave në F1

20/04/2016 14:35

Bernie Ecclestone këmbënguli në qëndrimin e tij kundërshtues për praninë e femrave në rolin e piloteve në Botërorin e Formulës 1. Bosi i këtij kampionati deklaroi se femrat nuk e kanë fizikun e duhur për të drejtuar një makinë të Formulës 1, ndërkohë që në të kaluarën ai ka mbështetur krijimin e një botërori të garave të shpejtësisë vetëm për femra.

“Nuk e di nëse një femër do të jetë në gjendje në aspektin fizik të drejtojë një makinë të Formulës 1 dhe nuk duhet të merren shumë seriozisht. Femrat janë më shumë kompetente në pozita drejtuesesh, ku nuk do t’u duhet të përballen me egot e mëdha të meshkujve”, tha 85-vjeçari.

Në fakt, shembujt e drejtueseve femra në kampionatin më të rëndësishëm të garave automobolistike nuk mungojnë dhe këtu përmendim Monisha Kaltenborn që është shefe e Sauber, si dhe Claire Uilliams, që aktualisht drejton skuadrën Williams. Por nuk kanë munguar as pilotët siç është rasti i Suzi Volf, e cila në fund vendosi të largohej nga Formula 1 si dhe Carmen Jorda, e cila është ende pjesë e Lotus Renault.

Top Channel