Derbi i Merseyside, Klopp “debuton” me fitore

20/04/2016 00:00

Jurgen Klopp ka fituar derbin e tij të parë të Merseyside, pasi skuadra e tij mposhti 4-0 Evertonin. Golat e Divock Origi dhe Mamadou Sakho i dhanë një epërsi komode skuadrës “të kuqve” të cilët shkuan në pushimin mes pjesëve me rezultatin 2-0.

Ne pjesën e dytë, Everton mbeti me 10 lojtarë në fushë, pasi mbrojtësi Ramiro Funes Mori u përjashtua nga ndeshja pas një ndërhyrje ndaj sulmuesit belg Origi. Daniel Sturridge dhe Philippe Coutinho shënuan për rezultatin përfundimtar 4-0.

Nëse përballja e fundit e këtyre skuadrave i dha fund epokës Rodgers te Liverpool, kjo e së mërkurës mund t’i japi fund epokës Martinez tek Everton të cilin mund ta shpëtoje vetëm triumfi në Kupë.

Ndërkohë, Manchester United arrin një fitore të rëndësishme 2-0 përballë Crystal Palace në shtëpi. Formacioni i Van Gaal arkëton tre pikë të reja që e afrojnë vetëm me një pikë me Arsenalin e vendit të katërt.

“Shqiponjat” duket që po ruanin energjitë për gjysmëfinalen e Kupës, pasi nuk regjistruan as edhe një gjuajtje brenda portës së “djajve”.

Fitore shënoi edhe West Ham 3-1 përballë Watford, duke i komplikua punë trajnerit Flores i cili mund të shkarkohet, pasi skuadra ka pësuar një rënie të ndjeshme të formës në pjesën e dytë të sezonit.

Top Channel