“Në të mirë e në të keqe, derisa vdekja të na ndajë”, ky është betimi që bëjnë partnerët kur lidhen në martesë.

Por, me të kaluar pak vite bashkëjetesë, çiftet e ndjejnë vërtetë se sa shumë peshon ky betim. Për ata që nuk e mbajnë dot, vjen divorci.

Martesa dhe divorci janë bashkudhëtarë të vjetër aq sa edhe vetë njeriu. Divorci vjen nga latinishtja dhe do të thotë “zgjidhje ligjore e martesës nga një trup gjyqtarësh”. Kur e thua duket e thjeshtë, por sa të rënda janë pasojat.

Sipas një studimi të fundit të kryer nga projekti “Open Data Albania” nga 100 martesa shqiptare, 16 përfundojnë në divorc.

Shkaqet janë nga me te ndryshmet, që nga mospërputhje karakteresh, dhunë në familje, tradhtia, alkooli, mungesa e afeksionit, ndërhyrja e palëve të treta, si vjehrra apo kanatat, futja në borxh e familjes pa dijeninë e partnerit, emigracioni etj.

Në shumicën dërrmuese të rasteve janë gratë ato që kërkojnë ndarjen. Nëse më përpara prindërit përpiqeshin shumë t’i sheshonin sherret për hatër të fëmijëve, sot këta të fundit nuk janë më arsye bashkimi. Përkundrazi, janë shtysë për të shpejtuar ndarjen në një familje ku martesa është konsumuar në mënyrë të pakthyeshme.

Në një kërkim në faqen zyrtare të Gjykatës së Tiranës, qytetit ku banon 1 e treta e popullsisë së vendit, të bie në sy që numri i divorceve në 2015-ën ishte 738. Ndërsa, për këtë vit, ose më saktë në vetëm 4 muaj janë ndarë me vendim gjykate 462 çifte. Ajo që vihet re vitet e fundit është se divorcet nuk njohin më moshë. Sot ndahen si 30-vjeçarët ashtu edhe 60 apo 70-vjeçarët.

Top Channel