Avokati i Popullit Igli Totozani i rekomandon prokurorisë së Tiranës fillimin e hetimeve në akuzën e shpërdorimit të detyrës të kryer në bashkëpunim ndaj disa inspektorëve të IKMT-së Tiranë.
Këta inspektorë kanë qënë pjesëmarrës në prishjen e banesave të romëve në selitë më 18-19 shkurt 2016.
Shtatë shtetas romë janë ankuar lidhur me aksionin e prishjes së ndërtimeve nga ana e IKMT-së. Shqetësimi i qytetarëve qëndron në faktin se familjet e tyre kanë jetuar në këto banesa, të ngritura para muajit gusht të vitit 1991. Megjithëse ankuesit, kanë aplikuar në Bashkinë Tiranë, për legalizim të banesave dhe truallit funksional të tyre, pasi ato janë ndërtuar para muajit Gusht 1991, per t’u trajtuar sipas parashikimeve të VKM nr.608 datë 5.09.2012, përsëri në datat 18-19.02.2016, këto banesa janë prishur me dhunë nga ana e punonjësve të IKMT-së, të mbështetur nga punonjësit e Policisë së Shtetit, duke iu dëmtuar edhe orenditë që disponoheshin në to.
Në këto rrethana, ankuesit kanë kërkuar ndërhyrjen e Avokatit të Popullit, për sqarimin dhe zgjidhjen e kësaj çështjeje. Institucioni i Avokatit ka bërë një hetim të pavarur administrativ ku dhe ka vëzhguar situatën.
Top Channel