Liverpul, shënjestra arabe e radhës

19/04/2016 00:00

Premier League po përgatitet të presë një tjetër sheik. Këtë radhë bëhet fjalë për Liverpulin që është vënë nën shënjestrën e një prej anëtarëve të familjes Mansur nga Abu Dhabi.

Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik Daily Star, sipas të cilit ky investitor është gati të japë më shumë se 700 milionë Paundë për të mbyllur përfundimisht çështjen e blerjes së The Reds. Gjithnjë sipas Daily Star,  ky sheik një muaj më parë nisi bisedimet për këtë transaksion duke bërë edhe propozimin e tij.

Për momentin identiteti i këtij investitori nuk bëhet publik, por flitet se ai eshte Sheiku Kalifa, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe. Pasuria e këtij të fundit vlerësohet 30 miliardë Paund shifër, kjo shumë më e e lartë se pasuria që zotëron pikërisht vëllai i tij, Sheiku Mansur që në vitin 2008 bleu klubin e Manchester Cityt duke bërë investime marramendëse në të.

Klubi i Liverpul vlerësohet me 650 milionë Paund dhe në këtë moment pronar i tij është kompania amerikane e investimeve, Fenway Sports Group. Kjo e fundit e bleu “The Reds” në tetor të vitit 2010 për 300 milionë Paundë dhe që nga ai moment vlera e Liverpulit është rritur vazhdimisht.

Vitin e kaluar; revista Forbes e klasifikoi Liverpulin në vendin e 8 në rënditjen e klubeve më të vlefshme të botës.

Blerja e Liverpulit nga sheiku është një rritje e mundësive për investime të mëdha që do të thotë se Klopp do të ketë në dispozicion një fond të konsiderueshëm për të bërë shpenzime në merkaton e transferimeve, ku objektivi kryesor i anglezëve është Robert Levandovski i Bajërnit të Mynihut.

Top Channel