Vec shkurtimit të qindra vendeve të punës dhe uljes së eksporteve, falimentimi i kompanisë kurum ka sjell edhe një tjetër pasojë të rëndë. Ai ka zhytur në krizë financiare gjithë sistemin hekurudhor të vendit.
“Kurumi ka qënë në masën mbi 60-70% klienti ynë kryesor, qoftë përsa i përket i transportit në volum e ton përsa i përket të ardhurave. Mirëpo kjo duke filluar nga qershori i vitit 2015 pati një shkëputje, nuk pati asnjë volum”, tha Genci Alizoti, drejtor i përgjithshëm i hekurudhave.
E krijuar në vitin 1945, Hekurudha Shqiptare e pati periudhën e saj të artë gjatë viteve të komunizmit, ku ishte mënyra kryesore e transportit të mallrave dhe udhëtarëve. Ndonëse me vështirësi, ajo ia ka dalë të mbijetojë edhe gjatë viteve të tranzicionit, por tani themelet e saj po lëkunden.
“Policitë private të cilën kanë operuar në hekurudhën shqiptare kanë krijuar një borxh, që u kemi atyre në një shifër të konsiderueshme. Gjithashtu, gjyqet e shumta në numër të humbura si pasojë e heqjes pa kriter në vitet më para të punonjësve kanë filluar efektet e tyre dhe të gjitha këto na kanë kthyer që ne të jemi debitorë në shumë banka e të jemi në një situatë tejet të vështirë”, u shpreh më tej Alizoti.
Hekurudha shqiptare ka në inventarin e saj 66 vagonë udhëtaresh, 225 vagonë malli dhe 25 lokomotiva. Por të gjitha këto asete sot janë në rrezik ndaj drejtori i saj ka një apel
“Të hidhen sytë nga hekurudhat për faktin sepse nëse do të lihet në këtë gjendje do të shkojë drejt një falimentimi të sigurtë”, vijon më tej Alizoti.
Hekurudha është një entitet publik, që funksionon si shoqëri anonime. Vitin e kaluar shoqëria pësoi mbi 2 milionë dollarë humbje, ndërsa këtë vit rezultatet financiare mund të përkeqësohen edhe më tej.
Top Channel