Vettel “kacafytet” me Kvyat pas garës

17/04/2016 12:30

Sebastian Vettel u shfaq i nervozuar në sallën e pritjes ndaj pilotit të Red Bull, Daniil Kvyat, pas manovrës që dy pilotët patën në kthesën e parë në startin e garës.

“Më erdhe sipër. Erdhe si një raketë, por kisha një makinë në të majtë. E kuptoj që është garë, por këtë herë të shkoi mirë”, ju drejtua piloti gjerman kundërshtarit, të cilin e la pas në përfundimin e garës. Por piloti rus i Red Bullit u duk më i qetë në reagimin e tij, teksa shijonte podiumin e dytë në karrierë: “Mjaft u ankove, ne të dy tani jemi në podium”, u përgjigj rusi.

Pas përfundimit të garës Vettel e ka justifikuar nisjen e tij të dobët edhe me agresivitetin me të cilin rusi i Red Bullit kërkoi t’i merrte pozicionin: “Nisja ime nuk ishte perfekte. U gjenda në mes të pistës, Kvyat erdhi shumë shpejt dhe Kimin ndërkohë e kisha në të majtë dhe nuk kisha tjetër mundësi, duke u prekur me të. Nuk ishte gjëja më e mirë për skuadrën dhe për këtë më vjen shumë keq”, deklaroi Vettel, i cili edhe në komunikimin e fundit që pati me skuadrën nëpërmjet radios, i kërkoi falje kolegut të tij për dëmtimin që i shkaktoi.

Ndërkohë, me entuziazmin e podiumit të dytë në karrierë, pas atij të verës së shkuar në Hungari, Kvyat u shpreh se edhe në të ardhmen ai do të rrezikojë për të arritur maksimumin. “Mendoj se kam bërë një start gare shumë të bukur, pashë hapësirën dhe vendosa t’i shkoj deri në fund, sigurisht që rrezikova dhe do të vazhdoj ta bëj edhe në të ardhmen”, tha Kvyat.

Edhe pse më i dëmtuari nga të gjithë ishte Kimi Raikkonen, finlandezi e ka ruajtur qetësinë përgjatë gjithë garës. “Nisja ishte katastrofë. Më pas, u mundova që të rikuperoja sa më shumë. Nuk ishte aspak garë e lehtë, por rikuperuam sa mundëm. Në të vërtetë nuk kuptova fare se çfarë ndodhi në nisje. U godita dhe bëra një rotullim 360 gradë”, u shpeh Raikkonen.

FOTO GALERI
3/4

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA