Rosberg “pushton” Kinën; spektakël parakalimesh në Shangai

17/04/2016 10:20

Nico Rosberg fitoi edhe në Shangai, në ndalesën e tretë të Botërorit të Formulës 1, në një garë ku ndodhi gjithçka. Gjermani i Mercedesit sigloi fitoren e tretë radhazi në këtë kampionat botëror dhe forcon kështu pozitat si lider i kampionatit. Në podium u ngjitën edhe Vettel e Kvyat, ndërkohë që Hamilton, i cili u nis i fundit, e mbylli garën në vendin shtatë.

Nisi me surpriza Çmimi i Madh i Kinës në Formulën 1, ku Ricciardo i rrëmbeu vendin e parë Rosbergut, ndërsa vetëm pak metra nga starti shumë prej makinave u përfshinë në kontakt me njëra-tjetrën. Më shumë e pësuan makinat Ferrari, me Raikkonen që u godit nga shoku i skuadrës Vettel, në tentativë të këtij të fundit për t’u mbrojtur nga një sulm i Kvyat.

Edhe Hamilton, i cili tentoi të rikuperonte pozicione në start, pati një kontakt që i kushtoi humbjen e hundës së makinës. Papastëritë që makinat lanë në pistë shtynë komisarët e pistës të marrin vendimin e futjes së makinës së sigurisë pas 5 xhirosh. Kjo manovër e ndihmoi edhe më shumë Rosbergun, i cili humbi kontaktet me Ricciardon e Vettelin, por krijoi një kaos në bokse, ku shumë prej pilotëve filluan të ndryshojnë strategjitë e tyre me zgjedhjet e gomave.

Dhe ishin pikërisht gomat që ndikuan edhe në zhvillimin e garës, pasi zgjedhjet fillestare të skuadrave nuk dhanë rezultat. Shumica e pilotëve kryen nga 4 “pit stop”-e, pasi gomat nuk mund rezistonin shumë për shkak të temperaturave të larta të asfaltit.

Rosberg bëri një garë të vetmuar, duke mos u shqetësuar nga asnjë prej rivalëve, ndërkohë që nga pas tij Vettel, Kvyat, Ricciardo, e në veçanti Hamilton regjistruan një numër të jashtëzakonshëm parakalimesh, duke këmbyer shumë herë edhe vendet me njëri-tjetrin. Spektakël më vete ishte edhe rikuperimi i Rakkonenit, teksa përfitoi edhe nga durimi i prishur i Hamiltonit në duel me brazilinin Massa, 10 xhiro nga fundi.

Në përfundim, Rosberg u ngjit në shkallën më të lartë të podiumit, duke çuar në 75 pikët e grumbulluara në këtë sezon, ndërsa numëron 6 gara radhazi si fitues në F1, duke përfshirë edhe 3 të fundit të sezonit të shkuar.

Vettel, pas vendit të tretë në Australi dhe tërheqjes në Bahrein, merr 18 pikë të rëndësishme që e ngrejnë në vendin e katërt në klasifikimin për pilotë.

Red Bulli arriti të çonte në podium një pilot edhe ai është Kvyat, që shënon podiumin e dytë në karrierën e tij. Ricciardo ndërkohë u mjaftua me vendin e katërt. Pas tij Raikkonen, ndërsa për Hamilton pikët e vendit të shtatë janë një ngushëllim për të mbajtur vendin e dytë në klasifikimin për pilotë.

Gara e radhës është pas 2 javësh, në Çmimin e Madh të Rusisë dhe si gjithnjë transmetimi do të jetë në Top Channel.

FOTO GALERI
1/11

Top Channel