Edhe NBA i dorëzohet pushtetit të parasë. Drejtuesit e ligës më spektakolare të basketbollit në botë miratoi nënshkrimin e kontratave të sponsorizimit të skuadrave duke nisur nga sezoni 2017/2018.
Kjo do të thotë se për herë të parë, duke nisur pikërisht nga ky sezon, në fanelat ekipeve të NBA do të shfaqen emrat e kompanive sponsorizuese.
Sipas drejtuesve të NBA, për momentin ky vendim është në formën e një projekti pilot për një periudhë 3-vjeçare. Emri i kompanisë sponsorizuese të skuadrave të NBA, do të shfaqet në anën e majtë në fanelës në një katror me sipërfaqe 6.35 cm2.
Sipas përllogarive të para, rezulton se secila prej skuadrave do të përfitojë mesatarisht 4-6 milionë Dollarë në vit me këtë sistem të ri sponsorizimi, shifër kjo që do të konsiderohet si e ardhur dhe që do t’u shpërndahet basketbollistëve në varësi të paktit që arrihet në kontratën kolektive.
“Shfaqja e sponsorëve në fanela jep mundësinë e krijimit të një lidhje më të fortë me partnerët që janë të interesuara të bashkëpunojnë me skuadrat e NBA. Të ardhurat e përfituara nga sponsorizimi do të ndihmojnë në përmirësimin e mëtejshëm të nivelit të lojës në këtë kampionat. Duam që të mbajmë NBA kompetitive në tregun botëror dhe tani të shohim se çfarë do të sjellë ky eksperiment 3-vjeçar”, thonë zyrtarët e NBA.
Por fanelat me emrat e sponsorëve nuk do të vihen në dispozicion të të gjithë tifozëve. NBA bën të ditur se fanelat që do të dalin në shitje nuk do të kenë emrat e sponsorëve. Megjithatë, skuadrave nuk iu mohohet e drejta që të shesin fanelat e tyre me sponsorë në dyqanet e tyre.
Top Channel