Dy zonja në garë për Filologjikun

16/04/2016 00:00

Për postin e Dekanit në Fakultetin e Histori-Filologjisë garojnë ndërmjet tyre dy zonja; Valentina Duka dhe Dhurata Shehri.

Duka premton çuarjen më tej të asaj që është arritur deri më tani.

“Kam aftësinë për të shfrytëzuar deri në ekstremitet të gjitha hapësirat e ligjit për arsimin e lartë për të rritur cilësinë e mësimdhënies dhe të punës akademike në këtë fakultet. U jam drejtuar kolegëve dhe do të bëj ç’është e mundur që ata të jenë më të mirëpaguar dhe të mbështetur me projekte. Do bëj ç’është e mundur për të hapur akoma më shumë këtë institucion duke shfrytëzuar projektet europiane, të rigjallërojmë akoma më shumë kontaktet me botën jashtë dhe punën tonë akademike”, deklaron Duka.

Shehri premton demokratizim në drejtim dhe nxjerrjen e këtij fakulteti nga izolimi.

“Ideja e një thyerjeje të inertësisë, të asaj që ka ndodhur më përpara për të mbërritur në një pikë më të lartë të zhvillimit, të kërkimit Pshkencore, të demokratizimit dhe të menaxhimit të Fakultetit. Një nga pikat e rëndësishme është që të mos shkohet më drejt një hierarike ku njëri vendos për të gjithë, por drejt një demokratizimi. Transparenca në total dhe në vendimarrje do të jetë një nga pikat e forta që unë do t’i mëshoj fort gjatë programit tim. Ndërtimin e një konference ndërkombëtare të vërtetë, ndërtimin e një fletoreje shkencore me një bord editorial dhe ndërtimin e një bordi drejtues në nivel të fakultetit”, thotë Shehri. 

Për dy kandidatet do të votohet nga studentë dhe pedagogë ditën e mërkurë më 20 prill.

Top Channel