Kosova jashtë agjendës së KiE/ Anëtarësimi mungon në axhendë, kushti për qeverinë Kurti mbetet Asociacioni
Pak muaj pas operacionit antiterror me jehonë ndërkombëtare të Policisë së Kosovës, në bashkëpunim me atë italiane, këtë të martë Gjykata Themelore ka dënuar me 7 muaj burg shtetasin kosovar Samet Imishti.
Aktakuza ndaj tij ishte ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, në bazë të ligjit “Për ndalimin e bashkimit në konflikte të armatosura jashtë territorit të vendit”. Ndaj 44-vjeçarit rëndonin akuza për veprat penale “Bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet në grup apo individuale jashtë territorit të Republikës së Kosovës” dhe “armëmbajtje pa leje”.
“Trupi gjykues shqyrton dënimin për veprën penale: në pikën 1, me dënim 7 muaj burg dhe në pikën 2, dënim me gjobë në shumën 800 euro”, tha Agim Maliqi, kryetar i trupit gjykues.
Gjatë vendimit është dhënë masa minimale e dënimit që parashikon ligji, për shkak se i akuzuari është konstatuar si person me çrregullim afektiv bipolar nga Instituti i Psikiatrisë Forensike të Kosovës, ndaj trupi gjykues mori edhe vendimin për ndërprerjen e paraburgimit pas 5 muajsh.
Sipas aktakuzës, nga viti 2013 dhe përmes rrjeteve sociale, i akuzuari ka përkrahur haptazi luftën e Shtetit Islamik, ka bërë thirrje për t’iu bashkur ISIS-it dhe ka “lartësuar” luftëtarët, duke i ftuar publikisht që “të çlirojnë” edhe Kosovën.
Por, meqenëse ligji për pjesëmarrjen në konfliktet e huaja ka hyrë në fuqi vitin e kaluar, Imishti është gjykuar vetëm për veprat penale që ka kryer që nga maji i vitit 2015. Imishti deklaroi se nuk ishte në dijeni, që komenti në Facebook është i sanksionuar me ligj.
Ai ishte njëri nga 4 të arrestuarit në dhjetor të 2015-s. Tri shtetasit e tjerë kosovarë të arrestuar në Itali u liruan menjëherë, ndërsa Samet Imishti është mbajtur për më shumë se 5 muaj në burgun e sigurisë së lartë në Dyz.
Top Channel