Hetimi i marrëveshjes me CEZ-in. Konferenca e Kryetarëve nuk merr vendim për kërkesën e PD-së

12/04/2016 00:00

Kryetarët e grupeve parlamentare nuk morën një vendim lidhur me kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni hetimor për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjeve mes Shqipërisë dhe kompanisë CEZ.

Opozita thotë se me tërheqjen nga arbitrazhi qeveria i ka shkaktuar vendit një dëm prej të paktën 500 milionë eurosh. Sipas nënkryetarit demokrat Edmond Spaho, kërkesa e opozitës nuk ka gjetur mbështetje sepse mazhoranca thotë se ky komision hetimor ndërhyn në kompetencat e prokurorisë, e cila po heton padinë e KLSH-së për të njëjtën çështje.

Demokratët insistojnë se kërkesa e tyre ka të bëjë vetëm me veprimet administrative të palëve gjatë zgjidhjes së mosmarrëveshjes.

Ndërkohe, opozita nuk pranoi që ky komision hetimor të ketë për objekt edhe hetimin e privatizimit të CEZ-it, siç është propozuar gjatë mbledhjes nga mazhoranca, duke i sugjeruar deputetëve socialistë ngritjen e një komisioni tjetër. Vendimi për këtë çështje mund të merret të enjten, por demokratët shprehën shqetësimin se mazhoranca vazhdon të mos respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, duke i hequr opozitës të drejtën e kontrollit parlamentar.

Top Channel