Heqja e vizave për Kosovën, BE jep përgjigje në fund të muajit

11/04/2016 00:00

Komisioni Europian pritet të rishikojë deri në fund të muajit çështjen e heqjes së vizave edhe për Kosovën, duke shqyrtuar nëse vendi i ka plotësuar kushtet e parashtruara nga Brukseli për të përfituar nga udhëtimi lirshëm brenda zonës “Schengen”.

Një zyrtar i Bashkimit Europian dha lajmin për Kosovën, por edhe për udhëtimin pa viza për ukrainasit, pavarësisht rezultatit të referendumit holandez për marrëveshjen BE-Ukrainë.

Kosova është i vetmi vend në Ballkan, që nuk e ka fituar ende të drejtën e lëvizjes pa viza në hapësirën “Schengen”, edhe pse për disa vite me radhë, autoritetet kosovare kanë punuar në bashkëpunim me institucionet e BE-së për të plotësuar të gjitha kushtet e kërkuara për procesin e heqjes së vizave.

Udhëheqësit e BE-së kanë premtuar përshpejtimin e liberalizimit të vizave për Turqinë, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje deri në fund të qershorit, në qoftë se Ankaraja do t’i ketë plotësuar kushtet e vendosura nga marrëveshja me BE-në. Por propozimet e Këshillit Europian duhet të miratohen me shumicë të cilësuar të vendeve anëtare të BE-së, si dhe nga Parlamenti Europian për të hyrë në fuqi.

Top Channel