Basha: Rama, suksese imagjinare në ekonomi

11/04/2016 15:50

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka ironizuar përmes një postimi në Facebook deklaratat e qeverisë për rritje të ekonomisë, duke thënë se, “vetëm Borati do të kishte kurajon të fliste për suksese të ekonomisë shqiptare”.

“Por ja që kemi liderin global që e quan sukses faktin se sipas Bankës Botërore, 46.2% e familjeve shqiptare jetojnë me 5 dollarë në ditë, pra janë të varfëra. Se konsumi ra 2.3% gjatë vitit 2015 dhe po kështu fuqia blerëse e shqiptarëve. Se papunësia u rrit edhe në tremujorin e fundit. Se në 2015 eksportet ranë 4.9%, importet ranë 1.4%. Se kreditimi në dhjetor 2015 ra 2.3%. Se qeveria nuk mblodhi por vodhi 400 milionë dollarë taksa dhe aksiza në vitin 2015. Se e rriti borxhin në 72.2% për palma, fasada dhe Jaguarë”, ka thënë Basha.

Ai ka theksuar se, “kjo është kriza e ekonomisë shqiptare dhe e çdo familje të vendit”. “Por Borati jeton në sukseset e tij personale që janë qindra milionë euro për vete, që janë vilat, luksi dhe parajsat fiskale”, ka vijuar Basha.

Sipas tij, nuk ka asnjë përmirësim por vetëm përkeqësim me këtë qeveri. “Dalja nga kriza dhe një ekonomi e fortë që prodhon, punëson dhe pasuron shqiptarët vjen përmes programit të PD: taksa të ulëta, liri ekonomike dhe luftë krimit e korrupsionit qeveritar”, ka shtuar Basha.

Top Channel