PD: Votimet e Ramës për të mos lejuar zgjedhje, shkatërrim i votes së lirë

10/04/2016 12:45

Partia Demokratike, nëpërmjet Sekretares së Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, ka deklaruar se “votimet e Edi Ramës për të mos lejuar zgjedhje në partinë e tij janë më shumë se çështje e brendshme e Partisë Socialiste, pasi që kur kjo alibi leifeniane u shpall e derisa u mbyll, pati dhunim të votës”.

“Të gjitha shkeljet e evidentuara nga OSBE-ODIHR në raportin zyrtar për zgjedhjet e qershorit të vitit të kaluar, ishin të pranishme në votimin e djeshëm. Gangsterët e të fortët e Edi Ramës që kontrollojnë qendrat e votimit, ishin dje në krye të detyrës dhe tanimë ata janë promovuar nga Edi Rama, pasi u ka besuar drejtimin e partisë. Presioni ndaj administratës ishte skandaloz, pasi jo vetëm u monitoruan me lista kush votonte, por u thirrën dhe u kërcënuan të gjithë nëpunësit që nuk patën ndërmend të votonin. Manipulimi nisi me listat që në fillim, të cilat u krehën dhe u sistemuan, që të ishin aty vetëm besnikët e Edi Ramës. Manipulimi vazhdoi me shpalljen e rreme të pjesëmarrjes, duke zmadhuar shifra sipas hesapit të Ramës, pasi askush nuk pati akses të verifikonte saktësinë e tyre. Vota u ble nga oligarkët milionerë të Ramës, deputetët biznesmenë dhe kryetarët e bashkive u hodhën në aksion që me zgjedhjen e delegatëve e deri dje pasdite vonë”, theksoi Duma.

Të gjithë të inkriminuarit u bashkuan rreth kauzës, për t’i siguruar kumbarit Rama sundimin e partisë pa garë e pa zgjedhje. Të gjitha këto shkelje, dhunime, abuzime, janë tipari i një armiku të konfirmuar të votës së lirë, siç është Edi Rama. Dhunimi i votës dje tregon raportin që ky njeri ka me zgjedhjet, të vetmin raport që ka me votën, që është blerja, manipulimi, dhunimi. Kjo është një kambanë alarmi për zgjedhjet që po vijnë, pasi është e qartë se Edi Rama ka vetëm një projekt: shkatërrimin e tyre”, shtoi Duma.

Top Channel