Basha: Dalja nga kriza nis me ndarjen e pushtetit nga krimi

10/04/2016 10:00

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një bashkëbisedim me banorët e Vaqarrit dhe Farkës theksoi se “për të siguruar zhvillim dhe mirëqënie, duhet së pari shkëputja nga krimi dhe e dyta, nxjerrja e parave nga xhepat e oligarkisë dhe kthimi i tyre në ekonominë kombëtare”.

Basha nënvizoi se që të realizohet kjo është e domosdoshme të garantohet vota e lirë.

“Këta erdhën me premtim “rilindje” e po qeverisin me shullazët. Këta erdhën me premtim vende pune e po qeverisin duke i nxjerrë shqiptarët nga shtëpitë e tyre e duke i çuar në emigracion. Hapi i parë është shkëputja nga krimi. Nuk është puna se të ndihmon vetëm për pushtetin, por pastaj do doganat, do tenderat, do emërimet…
Në radhë të dytë është nxjerrja e parave nga xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe kthimi i tyre në ekonominë shqiptare, pra në xhepat tuaj. Kjo ndodh përmes votës. Votës që i trembet kaq shumë ky edhe në partinë e vet, le më para popullit. Pse i trembet votës?! Sepse e di që të dielën e ardhshme po të kemi zgjedhje të lira dhe të ndershme kjo qeveri është e rënë. Ne duhet të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme e t’i japim shqiptarëve atë që është e tyre, Shqipërinë, fondet publike, taksat e ulta, një program të fuqishëm investimesh në bujqësi, në infrastrukturë, në prodhim”, theksoi Basha.

Punësimi është prioritet kryesor i Lulzim Bashës e për ta realizuar këtë ai thotë se është e domosdoshme ulja e taksave dhe krijimi i lehtësive për biznesin, investimet publike në infrastrukturë, mbështetje bujqësisë dhe lehtësi për ata që krijojnë vende pune.

“Vetëm përmes investimeve mund të krijohen vende të reja pune. Nuk krijohen vende pune vetëm duke u lutur, as duke bërë propagandë, e as duke ndenjur në televizor. Por që t’i krijojmë këto duhet që paratë nga oligarkia të vijnë tek populli.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA