8-vjetori i Kushtetutës së Kosovës, hartuesit akuzojnë klasën politike

09/04/2016 18:10

Me rastin e 8-vjetorit të miratimit të Kushtetutës së Kosovës, në Fakultetin Juridik në Prishtinë është organizuar një seminar me hartuesit e dokumentit themeltar dhe ish-kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani.

Por ky aktivitet u pengua nga një grup studentësh, aktivistë të Lëvizjes Studentore për Barazi, Studim, Kritikë dhe Veprim, të cilët kanë nisur të vërshëllejnë gjatë fjalimit të ish-kreut të Kushtetueses, duke e quajtur atë shkelës të Kushtetutës që u ka vazhduar mandatin gjyqtarëve ndërkombëtarë në këtë institucion.

Pas largimit të studentëve që penguan fjalimet e të pranishëmve, seminari vazhdoi në një sallë tjetër, ku hartuesi i Kushtetutës Arsim Bajrami tha se klasa politike kosovare është më mbrapa se fryma kushtetuese që ka Kosova.

“Lufta e egër për pushtet ka bërë që partitë politike dhe klasa politike të jetë e pamëshirshme për Kushtetutën dhe kjo na tregon se nuk mjafton vetëm të kemi një kushtetutë të mirë, por duhet të kemi një klasë politike të edukuar”, tha Bajrami.

Ndërsa ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi tha se sfidë e Kushtetutës për tetë vjet ka qenë edhe mosrespektimi i saj nga ndërkombëtarët.

“Një tjetër problem ka qenë se, misionet ndërkombëtare, si UNMIK-u, OSBE dhe disa të tjera nuk kanë marrë për bazë Kushtetutën e Kosovës, por kanë marrë rezolutën 12/44, që fatkeqësisht asnjëherë nuk është ndryshuar”, tha Kuçi.

Pas përfundimit të seminarit, Policia e Kosovës ka liruar studentët që e penguan atë me proçedurë të rregullt.

Top Channel