Ulja e normës, por deri ku? Ekspertët: BSH-së po i shterojnë instrumentat

07/04/2016 15:25

Ish-anëtar i Këshillit i Mbikëqyrës në Bankën e Shqipërisë, Arjan Kadare gjykon se ulja e normës së interesit është një masë që ndihmon ekonominë. Por, ai paralajmëron se bankës qëndrore po i mbarojnë instrumentat për të luftuar krizën.

“Edhe në Shqipëri po afron limiti i politikës monetare. Në kushtet kur normat e interesit janë të ulëta, politika monetare nuk është shumë efikase për të stimuluar kërkesën agregate. Këtë e thonë të gjitha teoritë ekonomike”, deklaron Kadare.

Banka nuk mund ta ulë normën e interesit nën zero. Rrjedhimisht, nëse ekonomia do të ketë sërish nevojë për stimul, atëherë Shqipëria mund të detyrohet të rrisë borxhin.

“Kjo situatë e kërkon një stimul dhe stimuli fiskal afatshkurtër është i duhuri, pa kompromentuar marrëveshjen që ka qeveria me FMN, për të vënë në lëvizje ekonominë, punësimin dhe më tej konsumin”, nënvizon Kadare.

Disa kritikë mendojne se politika monetare ka qenë e pafuqishme dhe uljet e normës bazë nuk kanë patur efekt në ekonomi. Por Kadare ka një tjetër këndvështrim.

“Natyrisht ne e krahasojmë situatën me aty ku deshëm të ishim, por mund të bëhet edhe pyetja tjetër: po të mos e kishte bërë banka qendrore, ku do të ishim?”, shprehet Kadare.

Banka e Shqipërisë e uli për të 15-n herë me radhë normën bazë të interesit, duke e çuar në minimumin e ri historik prej 1.5%.

Top Channel