Rangers janë rikthyer

07/04/2016 00:00

Udhëtimi i gjatë i rilindjes pas kaosit dhe falimentimit të regjistruar në vitin 2012, më në fund ka përfunduar për Glasgow Rangers.

Një prej ekipeve ikonë të futbollit britanik është rikthyer në Premier Leaguen skoceze duke i dhënë fund makthit të tifozëve që kishte zgjatur 4 vjet, dhe që kishte privuar botën e topit nga një prej ndeshjeve derbi më emocionuese dhe më elektrizuese në histori
.
Falë suksesit ndaj Dumbarton në ndeshjen e zhvilluar në “Ibrox Park”, Rangers e qytetit të Glasgow festuan rikthimin në elitën e futbollit skocez, 4 ndeshje para fundit të sezonit.

Plot 17 pikë diferencë ndaj vendit të dytë që mbahet nga Falkirk, janë një siguri matematikore që i lejon ekipit të trajnerit Mark Warburton që të rikthehet në kampionatin që ka fituar 54 herë në histori.

Celtic rigjen kundërshtarin historik ndërsa futbolli botëror më në fund mund të shohë sërish “Old Firm”, derbin e Glasgow që kalon kufijtë sportivë, politikë dhe fetarë, mes katolikëve të Celtic dhe protestantëve të Rangers.

Tashmë me rikthimin në elitë, pronarët duhet të forcojnë muskujt financiarë për të mos përsëritur dështimin, ndërsa do të duhen emra të mëdhenj për të luftuar jo vetëm me Celtic, por gjithashtu me Hearts dhe Aberdeen.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel