Kampionati Europian i Futbollit është një nga ngjarjet më të ndjekura nga tifozët e sportit më popullorë në botë, por Euro 2016, është padyshim më i veçanti pasi Shqipëria do të marrë pjesë për herë të parë në një ngjarje kaq të rëndësishme.
Por, cilët janë stadiumet ku do të zhvillohen Finalet e Europianit të Francës? Shqipëria e ka të sigurt që do të zhvillojë ta paktën tre takime, jashtëzakonisht të rëndësishme. Ndeshjen e parë për kombëtaren tonë është ajo ndaj Zvicrës më 11 qershor, në orën 15:00, në stadiumin e Lensit, Stade Bollaert-Delelis. Ky stadium ka një kapacitet prej 35 mijë vendesh dhe rikonstruktimi i tij përfundoi në gushtin e vititet të kaluar. Në këtë stadium do të zhvillohen edhe ndeshjet Angli-Uellsi, Ceki-Turqi, si dhe një ndeshje nga 1/16-tat.
Ndeshja e dytë e Shqipërisë është ajo ndaj organizatorëve të Francës, e cila do të zhvillohet në “Stade Velodrome”, me një kapacitet prej 67 mijë vende. Në këtë stadium do të zhvillohen edhe 5 ndeshje të tjera, mes tyre edhe një gjysmëfinale.
Ndeshja e tretë dhe e fundit në grupe, por shpresojmë jo e fundit në Europian për Shqipërinë, është ajo ndaj Rumanisë, e cila do të zhvillohet në “Stade de Lyon”. Ky është një stadium me 59 mijë vende dhe në të do të zhvillohen edhe 5 ndeshje të tjera. Në këtë stadium do të zhvillohet edhe gjysmëfinalja tjetër.
Finalja e Europianit do të zhvillohet në “Stade de France”, i cili ka një kapacitet prej 80 mijë spektatorësh. Ky stadium është i vendosur në Sent-Deni. Ai u inaugurua në janarin e vitit 1998.
Ja 10 stadiumet ku do të luhen të gjitha ndeshjet e Euro 2016…
Top Channel