Meta: Të fuqizojmë rolin e gruas në shoqëri

06/04/2016 00:00

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta mori pjesë këtë pasdite në Forumin Ekonomik të Gruas, të organizuar nga Lëvizja e Gruas për Integrim.

Të pranishëm në këtë tryezë ishin edhe kryetarja e LGI-së, Klajda Gjosha, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe anëtarë të tjerë të rëndësishëm të kësaj partie.

Në fjalën e mbajtur gjatë aktivitetit, Meta iu referua projekteve që kanë filluar disa herë në Shqipëri për t’i angazhuar gratë në punë dhe për t’i trajnuar për profesione të ndryshme, por që kanë qenë të përkohshme.

“E përmenda këtë, sepse mendoj që dy janë elementët kryesorë për ta fuqizuar ekonomikisht gruan. E para, mendoj se është formimi profesional, në të gjitha nivelet, që nga formimi profesional për të bërë një punë të thjeshtë, pra për atë që ka një shkollë 9-vjeçare apo një shkollë të mesme të përgjithshme jo profesionale, e deri te formimi profesional në nivelet më të larta dhe akademike. Së dyti është tregu. Në qoftë se ne nuk orientohemi drejt gjetjes së tregjeve, ne nuk krijojmë dot biznese të qëndrueshme, ne nuk krijojmë dot punësim të qëndrueshëm. Ne nuk konkurrojmë. Ne do të konsumojmë dhe do të zhytemi në borxhe, si shoqëri, si shtet si çdo gjë. Kështu që për mua ky aktivitet që kam parë në Kosovë, është shumë interesant, sepse bazohet mbi një produkt lokal”, deklaroi Meta.

Ai theksoi se fuqizimi ekonomik është fuqizim shoqëror, sepse një grua e cila kontribuon në mënyrë të barabartë në familje, me bashkëshortin apo me pjesëtarët e tjerë të familjes, padyshim që ka një status tjetër nga një grua që nuk e ka këtë mundësi.

Top Channel