Maqedoni, kreu i Zgjerimit në KE: Më shumë punë për zgjedhje demokratike

05/04/2016 00:00

Kreu i Drejtorisë për Zgjerimin në Komisionin Europian, Kristijan Danielson vlerëson se në Maqedoni ende nuk janë krijuar kushtet për zgjedhje korrekte. Gjatë vizitës në Shkup, ai ka ftuar të gjitha palët dhe institucionet të punojnë bashkërisht, për të mundësuar një proces elektoral të lirë dhe demokratik.

“Shtyrja e zgjedhjeve, që ndodhi në shkurt me marrëveshje mes 4 partive, ofroi kohë shtesë për të bërë progres në këtë drejtim, por nevojitet ende shumë punë. Ndaj dhe unë ftoj të gjitha partitë politike dhe institucionet shtetërore që të punojnë bashkërisht, me qëllimin që të zhvillohen zgjedhje të besueshme dhe të ketë pjesëmarrje të lartë në to”, tha Kristijan Danielson, kreu i Drejtorisë për Zgjerimin në KE.

Të martën në Shkup, Danielson zhvilloi takime të ndara me kryeministrin Emil Dimitriev dhe krerët e 4 partive kryesore në vend. Pas takimit me zyrtarin europian, për mediat është prononcuar vetëm udhëheqësi i PDSH-së, Menduh Thaçi, i cili tha se plotësimi i kushteve për zgjedhje demokratike është më i rëndësishëm sesa data për mbajtjen e tyre.

“Lidhur me datën e zgjedhjeve, ne ishim të përmbajtur edhe në Kuvend. Me rëndësi është që duhet të kuptojmë mesazhet e qarta të BE-së, se duhet të përmbushen kushtet, pavarësisht për cilën datë flasim. Duhet të mendojmë të gjithë për vlerësimin që mund t’u bëhet zgjedhjeve të ardhshme”, tha Menduh Thaçi, kryetar i PDSH-së.

Ndërkohë, përmes një njoftimi me shkrim, BDI-ja bëri të ditur se kreu i kësaj partie, Ali Ahmeti është zotuar para zyrtarit europian se do të angazhohet për përmbushjen e reformave edhe pas zgjedhjeve. Ai ka nënvizuar po ashtu nevojën për më shumë përkushtim, pas 5 qershorit, në procesin e integrimit në NATO dhe BE.

Top Channel