Leksione kundër zjarrit për gjimnazistët

04/04/2016 15:35

Gjimnazistët e shkollës së mesme “Ismail Qemali” në kryeqytet, mësuan për disa ditë si të reagojnë në situata zjarri.

Si duhet të veprojmë në rastet e evakuimit, dhënies së ndihmës së parë apo shuarjes së vatrave të zjarrit, ishin disa nga mësimet që nxënësit morën nga specialistët e repartit zjarrfikës të Tiranës.

Luljeta Kana, drejtoreshë e “Ismail Qemalit”, shprehet: “Ku ka më mirë sesa një bashkëpunim me specialistë të kësaj fushe, të cilët I treguan nxënësve rrugën që duhet të ndjekin për të reaguar në situata zjarri. Jam shumë e kënaqur me interesin e nxënësve”.

Por, krahas këtyre nismave, zjarrfikësit e kryeqytetit përballen edhe me vështirësi në punën e tyre. Korsitë e emergjencave vijojnë të jenë një problem.

Shkëlqim Goxhaj, drejtor i Zjarrfikëseve Tiranë, theksoi: “Ka përmirësime, por përsëri ka probleme. Ne kemi automjete që mund të futen edhe në zona të vështira si te “Tregu Çam”, por duhen korsitë e emergjencave në mënyrë që të jemi aty ku na kërkohet sa më shpejt të jetë e mundur”.

Projekti i trajnimit të nxënësve për reagimin në situata zjarri pritet të shtrihet në të gjitha shkollat e mesme të kryeqytetit.

Top Channel