Digjet shtëpia, familja me 9 anëtarë në qiell të hapur

04/04/2016 00:00

Nëntë persona kanë arritur të shpëtojnë mrekullisht nga flakët e zjarrit që ka përfshirë shtëpinë e shtetasit Sali Ceku, duke mbetur kështu në qiell të hapur.

Ngjarja ka ndodhur në fshatin Topojan të njësisë administrative Shupenzë të rrethit të Bulqizës, ku si pasojë e rënies së zjarrit 9 personat janë  rrezikuar të digjen brenda në banesë, pasi gjatë kohës kur banesa e tyre është përfshirë nga flakët ata ndodheshin brenda në shtëpi. 

Burime nga policia lokale e Bulqizës njoftojnë se ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshtatin Topojan të rrethit Bulqizë, ku rreth orës 22:00 shtëpia e shtetasit Sali Ceku është përfshirë nga flakët, duke djegur të gjithë banesën dhe orenditë që kishte brenda.

Fillimisht zjarri është pikasur nga vetë i zoti i shtëpisë, ku ka bërë të mundur  nxjerrjen nga shtëpia familjarët e vet, por pa mundur të shpëtojë asnjë orendi të shtëpisë.

Ndërkohë, vetë familjari Ceku ka lajmëruar policinë dhe zjarrfikësen në qytetin e Bulqizës, por për shkak të terrenit të thyer në momentin kur ka arritur zjarrfikësja gjithçka ishte djegur.

Kryefamiljari Sali Ceku dhe bashkëshortja e tij, Nazmie Ceku shprehen se tashmë janë në qiell të hapur. Ata kërkojnë ndihmë pasi familja prej 9 personave përkohësisht janë strehuar tek të afërmit e tyre.

Policia njofton paraprakisht se zjarri mund të ketë ardhur si pasojë e një shkëndije elektrike në çatinë e banesës, e cila ka qenë prej druri e më pas zjarri të jetë zhvendosur kudo në banëse me shpejtësi të madhe.

Top Channel