Barcelona apo Atletico? Luhet derbi spanjoll në Champions

04/04/2016 00:00

Vigjilja e çerekfinaleve të Champions League ka ardhur në një moment jo optimal për Barcelonën e Luis Enriques, ende me imazhet e disfatës ndaj Realit në “Camp Nou”, por me vetëdijen se është në lojë për të gjithë objektivat.

Në po të njëjtin impiant që humbi “El Clasicon”, këtë herë të martën zbarkon Atletico e Madridit, rival i ndryshëm në turne totalisht të ndryshëm, por që bën teknikun e vendasve të shfaqë kujdes.

“Ne jemi më të mirët, por Atletico mund të na eliminojë duke bërë dy ndeshje të mëdha. Në jetë mund të ndodhë gjithçka, por askush te Barcelona nuk duhet të presë gjëra të lehta, sidomos në kthim. Nëse nuk do të na dëgjonte Simeone, mund t’ju thosha sesi do të luajë Messi dhe ku, por preferoj ta mbaj për vete”, tha Luis Enrique për futbollistin më të mirë në planet.

Tekniku i katalanasve mbrojti zgjedhjet dhe skuadrën e tij në “El Clasicon” e humbur ndaj Realit.

“Me madrilenët luajtëm në mënyrë spektakolare për një orë ndaj një kundërshtari që është thuajse në nivelin tonë dhe ka të njëjtën objektiva. Sigurisht që bëmë gabime, por futbollistët nuk janë makina. Arda Turan hyri në momentin më të keq në “El Clasico” dhe nuk ka faj, ndërsa Messi u shfaq si duhet”, tha trajneri i Barcelonës.

Që kur drejton katalanasit, Luis Enrique ka fituar çdo ndeshje kundër Atleticos.

Top Channel