AKU, kontrolle në Durrës; sekuestrohen 180 litra qumësht

04/04/2016 13:55

Drejtoria e AKU-së në Durrës ka ndërmarrë këtë të hënë një aksion për kontrollin e akseve rrugore të këtij qarku, me qëllim inspektimin e mjeteve që transportojnë produkte ushqimore me origjinë shtazore dhe jo vetëm.

Kështu, gjatë kontrollit të ushtruar në rrugët hyrëse të Plazhit, aksin Ura-Plepa, në hyrje të autostradës Tiranë-Durrës, etj, ka rezultuar se pjesa dërrmuese e automjeteve që transportonin produkte ushqimore po vepronin në përputhje me legjistacionin në fuqi.

Por inspektorët kanë hasur edhe tri raste të tjera, cilat ishin në shkelje të hapur të ligjit për transportin e këtyre produkteve, për të cilat janë marrë masa.

Konkretisht, subjektet përkatëse tregtonin produktet pa i shoqëruar me etiketë dhe për rrjedhojë janë ndëshkuar me gjoba që arrijnë deri në 100 mijë lekë.

Gjithashtu, inspektorët kanë sekuestruar një sasi prej 180 litra qumësht, pasi produkti nuk ruhej në temperaturën e duhur dhe transportuesi i subjektit përgjegjës nuk ishte i pajisur me dokumentacionin e duhur.

Nga Drejtoria e Përgjithshme e AKU-së mësohet se kontrolle të tilla do të shtrihen në të gjitha akset e vendit, me mbështetje dhe asistencë nga Policia e Shtetit.

Top Channel