Rruga e shkatërruar, tre orë për 36 km e Zavalinës

02/04/2016 00:00

Edhe pse ndodhen 36 km nga qyteti i Elbasanit, banorëve të Njësisë Administrative Zavalinë u duhet rreth 3 orë të mbërrijnë deri aty.

13 km është aksi rrugor Gjinar-Zavalinë i cili prej 20 vitesh nuk ka parë asnjë ndërhyrje për të lehtësuar disi lëvizjen e 2 mijë banorëve të një prej fshatrave më të thellë të Elbasanit.

Rruga është e shkatërruar dhe e rrezikshme ndërkohë që gjatë dimrit ajo shpesh herë bllokohet nga dëbora dhe rrëshqitjet e dherave. Banorët shprehen se e kanë të vështirë lëvizjen deri në qytet pasi shumë pak drejtues mjete marrin përsipër të punojnë në këtë aks rrugor.

Më e vështirë lëvizja për banorët e Zavalinës bëhet në raste të problemeve shëndetësore kur atyre u duhet tre orë për të mbërritur deri në spitalin e Elbasanit.

Nisur nga kushtet e vështira të lëvizjes, por edhe të jetesës shumë banorë të Zavalinës e kanë braktisur fshatin, disa kanë zgjedhur të jetojnë në Elbasan, e të tjerë në emigrim.

Top Channel