Tronditëse, ja si lihen mbetjet spitalore në Korçë. ISHMP: 15 milionë lekë gjobë

01/04/2016 13:50

Inspektorati Shtetëror i Mjedisit dhe Pyjeve ka vendosur një sërë gjobash në rang vendi për mbetjet spitalore. Këtë javë ka pasur kontrolle në qarkun e Korçës.

Kompanitë e kontraktuara për përpunimin e mbetjeve janë gjobitur me 15 milionë lekë të vjetra, për moszbatim të rregullores për administrimin e mbetjeve spitalore. Por krahas kësaj, administratori i kompanisë është kallëzuar pranë organeve të drejtësisë.

Pamjet e publikuara nga ISHMP janë tronditëse, ku shihen qartë mbetje spitalore të papërpunuara nga firma e kontraktuar nga spitali rajonal i Korçës.

“Situatë e rëndë në qarkun Korçë. Ndëshkim maksimal për këdo që rrezikon shëndetin e qytetarëve”, është shprehur kryeinspektori Ergys Agasi. Ai tha se ISHMP do të ushtrojë të gjitha kompetencat e saj ligjore, në sigurimin e një mjedisi të pastër dhe të shëndetshëm për qytetarët, si dhe do të penalizojë me ndëshkime maksimale të gjithë ato institucione, subjekte apo individë pa asnjë tolerancë që do të ushtrojnë aktivitet në kundravajtje me ligjet dhe normat mjedisore dhe vënë në rrezik shëndetin e qytetarëve. Ndërkaq kontrollet do të vijojnë dhe në qarqet e tjera.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel