Klosi: Brenda këtij viti përgjysmim të ankesave për pensionistët

01/04/2016 00:00

Ministri i Mirëqënies Sociale Blendi Klosi ka premtaur se brenda këtij viti do të ketë përgjysmim të ankesave dhe procedurave për shërbimin ndaj pensionistëve. Ai ndodhej në inaugurimin e Zyrës së re të Pensioneve në Kombinat.

“Vazhdojmë të themi së po bëjmë një punë të madhe dhe nëpërmjet këtyre mekanizmave dhe shërbimeve më të mira që do të ofrojnë zyrat e pensioneve, ne duam që brenda këtij viti të përgjysmojmë ankesat dhe proceset gjyqësore, që pensionistët kanë në raport me ISSH. Mendoj se jemi në rrugë të mbarë dhe kemi realizuar shumë nga premtimet që kemi dhënë në lidhje me reformën e pensioneve”, ka thënë z. Klosi.

Zyra e re do t’i shërbejë 160 mijë banorëve të Kombinatit, Ndroqit, Pezës dhe zonave përreth. Ministri reagoi edhe për dhunën e ushtruar ndaj të mitruve në shtëpitë e fëmijëve, referuar dhe rastit të fundit të publikuar në media, në Durrës.

“Dua të them që nga rasti i Shkodrës ne jemi përpjekur akoma më fort për ngritjen e standarteve. Kemi bërë një testim kombëtar të gjithë këtyre punonjësve, rezultatet e të cilave linin shumë për të dëshiruar dhe 1/3 e tyre ishte e paaftë për ta kaluar këtë testim që me herën e parë dhe ndërkohë vazhdojnë trajnimet e vazhdueshme për të rritur kapacitetet e këtyre edukatorëve dhe punonjësve social”, tha ai.

Top Channel