Gënjeshtrat sportive për 1 prillin

01/04/2016 12:45

Dita e 1 prillit në pjesën më të madhe të vendeve të botës cilësohet si Dita e Gënjeshtrave, pasi eshtë një ditë kur çdokush është i lirë të thotë gjëra të pavërteta. Nuk përjashtohet nga kjo as bota e sportit, ku nuk kanë ngurruar të publikohen lajme që janë në kuadrin e shakave.

Me rastin e 1 prillit, portali “goal.com” vendosi të bëjë realitet për një ditë ëndrrën e tifozëve madrilenë dhe të kthejë në makth realitetin e katalanasve duke publikuar lajmin: “Messi arrin akordin për transferimin te Reali i Madridit për 500 milionë euro!”

Një tjetër lajm me rastin e kësaj dite vjen nga Australia Open, organizatorët e të cilit, nëpërmjet profilit zyrtar në rrjetin Twitter, kanë bërë të ditur se sipërfaqja e fushave aktuale të kompleksit ku luhet ky turne do të bëhet me parket.

Në Angli preferohet të bëhet shakaja me Evropianin e Francës, duke i trembur jo pak tifozët britanikë. Kështu, “Daily Telegraph” publikon lajmin se Anglia mund të përjashtohet menjëherë nga “Euro 2016” nëse në referendumin që do të mbahet në 23 qershor do të votohet pro daljes së Britanisë nga Bashkimi Evropian, një masë që pritet të aplikohet edhe për Uellsin e Irlandën e Veriut nëse ato kualifikohen për në çerekfinale.

Gënjeshtra sportive e radhës vjen nga Franca, e më konkretisht nga Lioni. Drejtuesit e klubit transalpin shfrytëzuan rrjetin social Twitter për të publikuar lajmin se fusha e lojës deri në përfundim të sezonit do të jetë ngjyrë blu, lajm ky i shoqëruar edhe nga një foto e përgatitur enkas.

Top Channel