Fanella e re, Partizani rikthen yllin me pesë cepa

01/04/2016 00:00

Në 70-vjetorin e krijimit të tij, klubi i Partizanit rikthen stemën e vitit 1946, yllin me pesë cepa brenda të cilit është dhe gërma “P”.

Ky vendim i drejtuesve të klubit kryeqytetas pritet të sjellë jo pak polemika, për shkak se ylli njihet dhe si simbol komunist.

“Më vjen keq që njerëzit në sport fusin politikën. Ata lloj njerëzish nuk duhet të jenë pjesë e sportit”, u shpreh drejtori i përgjithshëm i Partizanit, Dritan Dervishi.

Skuadra e futbollit do të zbresë me fanelën e re që këtë fundjavë, në sfidën kundër Laçit.

“Rikthimi në simbolin e Partizanit, yllin e bardhë me pesë cepa, është një kthim në traditat tona. Të gjithë ne që punojmë, të gjithë tifozët e Partizanit, presidenti, jemi krenar për kthimin e këtij simboli”, vijoi Dervishi.

Festimet për 70-vjetorin e krijimit të klubit Partizani do të kulmojnë me një mbrëmje gala ditën e hënë në Pallatin e Kongreseve.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel