
Rastet e dhunës së përsëritur ndaj të miturve në shtëpitë e fëmijëve ka vënë në alarm edhe Avokatin e Popullit. Kreu i këtij institucioni, Igli Totozani kërkon ashpërsim të masave ndëshkuese.
Z. Totozani konsideron si problem dobëzimin e mekanizmave mbrojtës të të drejtave të fëmijëve, dhe kjo sipas tij, për shkak të ndryshimit të shpeshtë të stafeve të trajnuara.
Avokati i Popullit ka ngritur një grup të posaçëm ekspertësh për të monitoruar dhe verifikuar kushtet e trajtimit psikologjik dhe fizik të të miturve në çdo shtëpi fëmije në të gjithë vendin. Ai i kërkon dhe shoqërisë civile t’i bashkohet kësaj iniciative, nëpërmjet krijimit të rrjeteve të mbrojtjes së të drejtave të fëmijëve nëpër cdo njësi administrative.
“Dhuna ndaj fëmijëve është akt i patolerueshëm, i dënueshëm me ligj si vepër penale, dhe një akt çnjerëzor. Kjo formë dhune bëhet edhe më e rëndë kur ushtrues të saj janë edukatorët dhe kujdestarët e tyre”, është shprehur Totozani.
Avokati i Popullit kërkon marrjen e masave më të ashpra ndëshkuese për të gjithë ata punonjës të qendrave rezidenciale, të cilët guxojnë të ngrenë dorë kundër fëmijëve të pambrojtur, si dhe marrjen e masave efikase për parandalimin e këtyre akteve.
Pas rastit të publikuar disa muaj më parë në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, e njëjta situatë është denoncuar edhe në atë të Durrësit, rast që është marr në hetim edhe nga prokuroria.
Top Channel