Kosovë, tryeza për daljen nga kriza, kur Veseli të zyrtarizohet në krye të PDK-së

31/03/2016 00:00

Oferta për opozitën për daljen nga kriza politike, e paralajmëruar pak ditë parë nga kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli, do të zyrtarizohet gjatë muajit maj, menjëherë pasi Veseli të marrë mandatin e kreut të Partisë Demokratike të Kosovës.

Burime të Top Channel kanë bërë të ditur se, Veseli ka diskutuar tashmë edhe me kryeministrin Isa Mustafa, si partner i koalicionit, dhe janë pajtuar që oferta të parashikojë formimin e një grupi pune ndërpartiak për të kryer një reformë zgjedhore, e më pas të vendoset edhe për kohën e zgjedhjeve të reja.

Deri tani, dy subjektet opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë shprehur gatishmëri për ulje në tryezë, por kanë kërkuar garanci, që diskutimet të përfundojnë me marrëveshje për zgjedhje të parakohshme.

Ndërsa Vetëvendosje, sipas zëdhënësit Frashër Krasniqi, pranon të ulet në këtë tryezë bisedimesh, vetëm nëse qeveria jep dorëheqjen.

“Lëvizja Vetëvendosje është e gatshme për çfarëdo diskutimi, me cilindo subjekt dhe me cilindo faktor, qoftë vendas, qoftë ndërkombëtar, vetëm pasi Qeveria e Republikës së Kosovës të dorëhiqet nga marrëveshjet e dëmshme e antikushtetuese dhe vetëm pasi të japë dorëheqjen”, tha Frashër Krasniqi, zëdhënës i Vetëvendosjes.

Oferta e koalicionit qeveritar për opozitën është diskutuar edhe me diplomatë të akredituar në Prishtinë, ndërkohë që tanimë ekziston gatishmëria e Brukselit, që të dërgojë ndërmjetës në dialogun mes forcave politike, i cili pritet të nisë gjatë muajit maj.

Top Channel