Sëmundja e Myzeqesë, ekspertët drejtojnë gishtin nga bujqit

30/03/2016 20:15

Ekspertët zyrtarë edhe njëherë kanë fajësuar bujqit për situatën e krijuar në Myzeqe, ku sëmundja e fuseriozës po shkakton dëme të mëdha në të mbjella.

“Çdo lloj investimi në bujqësi duhet ti nënshtrohet më parë analizave të tokës”, deklaron Valbona Brahimllari, nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore.

Kryerja e kësaj analize, sipas ekspertëve, do të kishte shmangur shkatërrimin e prodhimit bujqësor në Myzeqe. “Flasim për një analizë që kushton 70 deri 80 mijë lekë të vjetra”, nënvizon Brahimllari.

Por veç saj, ekspertët këshillojnë që të paktën një herë në vit, fermerët të dezinfektojnë sipërfaqet e mbjella.

“Mbulohet me plastmas të zi me shtresë dyfishe, krijohet temperatura 45 gradë, qëndron 45 ditë dhe të gjithë fitopatogjenet që janë baktere apo kërpudhorë zhduken. Bujqit të mos kenë tendencën të lodhin tokën”, thotë Zhaneta Hasani, po nga Qendra e Transferimit të Teknologjive Bujqësore.

Sëmundja e fuseriozës ka përfshirë 520 hektarë sera në Myzeqe, por një pjesë e kësaj sipërfaqeje, ajo e dëmtuar më pak, ka ende mundësi të shpëtohet.

“Masa e parë që duhet të marrë fermeri është të bëjë spërkatjen me anë të ujitjes me DMTD. Kjo mund të përsëritet një herë në dy javë”, shton Hasani.

Top Channel