
Sapo hyn në Përmet të shfaqet tabela me fjalinë “Perveç detit, kemi gjithçka tjetër”. Ngado kthehesh nëpër qytetin e vogël juglindor me 21 mijë banorë, sheh vetëm vlera njerëzore, fetare, historike, kulturore dhe natyrore.
A e dini se në Shqipëri rrezet e diellit bien së pari në Përmet, mbi majen e mbuluar nga bora. Quhet Maja e Diellit, ndodhet në malin e Nemerçkës, 2500 metra lartësi.
Vërtet nuk ka det, por në Përmet nuk e ndjen mungesën e tij. Ka lumin Vjosë që përshkon gjithë rrethin, ka ujërat termale të Benjës që burojnë në dy anët e kanionit Lengarica. Edhe sikur t’i kishe bërë me dorë nuk do të arrije në këtë përsosmëri.
Jane 6 ujëra sulfurore gjithsej të njohura që në antikitet. Secila ka burim më vete dhe kuron një sëmundje të caktuar. E para ku temperatura është 26 gradë, kuron sëmundjet e lëkurës, të tjerat sëmundjet e stomakut, veshkave, reumatizmën etj.
Përmeti ka Parkun Kombëtar “Bredhi i Hotoves-Dangelli”, ndër më të mëdhenjtë e Ballkanit. Ka urën 300-vjeçare të Katiut ku u xhirua momenti i vrasjes mbi kalë të rilindasit Petro Nini Luarasi. Ka bredhat e Petranit që përbëjnë një dukuri të rrallë, pasi ky dru rritet në zona malore, ndërsa në Përmet rritet anës Vjosës.
Përmeti ka xhamitë, teqetë e kishat, ndër më të famshmet kishat e vendosura në formë trëkëndëshi Shën Maria e Leusës, Shën Maria e Bënjes dhe Shën Maria e Kosinës që daton në 1200.
Ka lule Përmeti, raki që nga ajo e manit tek rakia e rigonit. Ka glikotë, ushqimet tradicionale si qingj i mbushur me kulaç shtëpie, produktet bio me kilometër 0, si dhe vargmalin Trebeshinë-Dhëmbël-Nemerçkë.
Ka gurin e qytetit, vëllezërit Frashëri, Laver Bariun, Tefta Tashko Koçon, Mentor Xhemalin, Bardhyl London e Odhise Paskalin, skulptorin që krijoi Skënderbeun e famshëm në qendër të Tiranës.
E krahas gjithë këtij zinxhiri vlerash, Përmeti ka edhe një tjetër. Qyteti i trëndafilave shquhet për qetësinë publike. Në raportin e Prokurorisë së Përgjithshme për nivelin e kriminalitetit gjatë 2015-s, thuhet se Përmeti është një qytet me 0% procedime penale, thënë ndryshe, në qytet janë regjistruar një numër minimal procedimesh penale që në përqindje janë të papërfillshme, 0.
Të mendosh që flitet për një qytet vetëm pak kilometra larg Lazaratit. Shefi i rendit dhe sigurisë publike, Asim Beqiraj, pohon se zbulueshmëria e autorëve të veprave penale është gati 100%. Qytetarët, krenarë për vlerat e trashëguara, thonë se nuk u çuditën kur e lexuan lajmin.
Specialisti i trashegimisë kulturore, Aleks Todhe, sqaron se asgjë nuk është rastësore. Ndër shekuj Përmeti është shquar për rendin, qetësinë e bindjen ndaj shtetit.
Lajmi se Përmeti është qytet pa krime pati jehonë deri në Itali. Një ekip nga “Rai 3” realizoi një reportazh në qytetin e paqtë.
Kur i kërkon që ta përshkruajë përmetarin me tre fjalë, kreu i bashkisë, Niko Shupuli, preferon të citojë vargjet e Fan Nolit: “Nëse e do sofrën e shtruar si mbret, atë e gjen vetëm në Përmet”.
Top Channel