ISHP: Zika, jo rrezik. Vëmendje ndaj etheve të Nilit

30/03/2016 00:00

Me afrimin e stinës së ngrohtë shtohet dhe  fluksi i mushkonjave në territorin e vendit tonë, të cilat nëpërmjet pickimit transmetojnë një sërë sëmundjesh infektive.

Specialistët e sëmundjeve infektive nuk përjashtojnë mundësinë e futjes  së virusit Zika, i cili ka qenë ndër alarmet më të fundit të Organizatës Boterore të Shëndetësisë.

“Ne jemi të rrezikuar aq sa vendet e tjera të Europës Jug-lindore apo ato Mesdhetare si Italia, Franca apo Spanja, të gjitha vendet që kanë përhapje të mushkonjës Tigër, që njihet që ka mundësi që të transmetojë virusin Zika. Fakti është që ne nuk kemi patur asnjë rast asnjë rast të dyshuar. Maqedonia ishte zhurmë, por nuk u vërtetua se ishte Zika”, thotë Silva Bino, shefe e Departamentit të Sëmundjeve Infektive.
 
Por më problem sesa virusi Zika, specialistë IShP-së konsiderojnë virusin e etheve të Nilit Perëndimor, që përhapet po nga mushkonjat.

“Kemi sëmundje të tjera që janë më kërcënim real, siç janë ethet e Nilit Perëndimor, që janë gjetur në Shqipëri dhe mund të shkaktojnë shpërthime epidemike”, shton Bino.

Së shpejti nis dezinsektimi i territorit, që organizohet nga Ministria e Shëndetësisë, por ndërkohë IShP është duke bërë gati planin e emergjencës për të vepruar nëse konstatohet ndonjë rast i infektuar, si dhe po monitoron futjen e mushkonjës Egjipti, e cila transmeton virusin Zika.

Top Channel