Afron “El Clasico”, sfida ku diferencat e pikëve mes ekipeve nuk vlejnë

30/03/2016 00:00

Këtë fundjavë, në “Camp Nou” do të luhet “El Clasico” mes Barcelonës dhe Realit të Madridit, e vlefshme për kampionatin spanjoll “La Liga”.

Skuadra e Luis Enriques vjen në këtë përballje me një avantazh prej 10 pikësh kundrejt rivalëve historikë, por një diferencë kaq e madhe nuk ka rezultuar pothuajse asnjëherë garanci për fitoren e skuadrës që është përpara, e shembujt që e vërtetojnë këtë nuk mungojnë.

Kështu, në sezonin 2002-2003, “Galaktikët” e Realit të Madridit e luanin klasiken me Barcelonën me 14 pikë avantazh, kur kishin mbetur edhe 5 javë nga fundi i kampionatit, por pa mundur ta fitojnë atë. Golit të brazilianit Ronaldo iu përgjigj Luis Enrique, i cili aktualisht është trajner i katalanasve.

Më 2 prillin e 2006-s, Reali e luante “El Clasico”-n me 11 pikë avantazh kundrejt Barcelonës, por sfida e asaj dite përfundoi në barazimin 1-1.

Në sezonin 2012-2013, “El Clasico” e fazës së dytë u zhvillua në “Bernabeu” dhe Barcelona shkonte me një avantazh prej 16 pikësh kundrejt Realit, që asokohe drejtohej nga Jose Mourinho. Ishin “Los Blancos” që fituan në këtë rast, me gola të Benzemasë e Sergio Ramosit, një sukses ky që u shoqërua edhe me polemika të shumta.

Situata e kundërt u shfaq në sezonin 2003-2004. Reali i Madridit u paraqit në “Camp Nou” me 10 pikë avantazh ndaj Barcelonës dhe arriti ta fitojë atë përballje falë golave të Roberto Carlos e Ronaldos. Ndërsa në sezonin 1973-1974, Barcelona zbriti në “Bernabeu” me 9 pikë avantazh, por siguroi atë që në Spanjë e konsiderojnë “Manita”, ku për kalatalanasit shkëlqeu ylli holandez Johan Cruyff.

Top Channel