Gotze mund të largohet nga Bayern: Dua të luaj sërish për Klopp

29/03/2016 00:00

Mario Gotze kërkon transferimin te Liverpool. Sipas asaj që publikohet në median britanike, mesfushori i përfaqësueses gjermane nuk po ndihet mirë te Bayern Munchen dhe u ka shprehur miqve të tij më të afërt dëshirën për t’u vënë sërish nën urdhrat e Jurgen Klopp.

Mario Gotze u largua nga Borussia Dortmund për te Bayern Munchen në verën e vitit 2013, për 29 milionë paund, ndërkohë që një vit më vonë shënoi golin që i dha titullin botëror Gjermanisë, në finalen me Argjentinën. Megjithatë, kjo nuk i garantoi atij vendin e titullarit të padiskutueshëm te Bayerni.

Përkundrazi, me kalimin e kohës, aktivizimi i tij te skuadra bavareze është reduktuar ndjeshëm. Në këtë sezon, Gotze ka luajtur vetëm 7 ndeshje në Bundesligë me Bayernin, 3 nga të cilat i ka nisur si zëvendësues.

Kjo është edhe arsyeja, që ai po kërkon largimin nga kampionët e Gjermanisë dhe tashmë ka zhvilluar bisedimet e para me trajnerin Klopp.

Gotze ka edhe një vit kontratë me Bayern Munchen, por largimi i tij nuk është i pamundur. Te Liverpool kërkojnë ta shfrytëzojnë këtë situatë delikate të tij, madje te “The Reds” është rritur ndjeshëm besimi se mund ta sjellin atë në “Anfield Road” për 15 apo 20 milionë paund.

Top Channel