“Euro 2016”, Presidenti Hollande: 3.000 persona ekstra për sigurinë

29/03/2016 00:00

Presidenti francez, Francois Hollande ka bërë të ditur gjatë kësaj të marte se, firmat private të sigurisë kanë punësuar 3.000 persona shtesë, enkas për të siguruar mbarëvajtjen e kampionatit europian të futbollit.

Pas sulmeve të javës së kaluar në Bruksel, ku mbetën të vrarë të paktën 35 persona, autoritetet franceze vendosën të vazhdojnë më tej planet për “Euro 2016” nga 10 qershori në 10 korrik, siç ishte parashikuar, përfshi këtu edhe zonat e dedikuara ndaj tifozëve, që nuk do të mund të sigurojnë bileta për ndjekjen e ndeshjeve brenda stadiumeve, por përmes ekraneve gjigante nëpër sheshe.

Hollande tha se 2,5 milionë njerëz priten të ndjekin ndeshjet, që do të zhvillohen në 10 qytete franceze, ndërsa rreth 5 milionë priten të vizitojnë zonat nëpër ambiente të hapura.

Duke iu referuar rreziqeve të larta për sulme, Hollande, gjatë fjalimit përpara profesionistëve të sportit në Paris, tha se “ne duhet të tregojmë që sporti, ashtu sikurse kultura dhe stili ynë i jetës, nuk do të nënshtrohen përpara këtij presioni dhe këtij kërcënimi”.

Top Channel