U21, Kombëtarja fiton me përmbysje ndaj Hungarisë

28/03/2016 00:00

Golat e Rey Manajt dhe Herdi Prengës që u shënuan brenda një periudhe kohore prej dhjetë minutash, zhvlerësuan golin e hungarezve të cilët kishin shënuar të parët, për t’i dhënë skuadrës së Redi Jupit fitoren e tretë në kualifikueset për Europianin e 21-vjeçarëve.

Ky triumf 2-1 ndaj Hungarisë në “Elbasan Arena”, rikthen Shqipërinë “e vogël” në vendin e dytë në Grupin 4.

Shpresat e nisën mjaft mirë ndeshjen, me djemtë kuqezi të cilët qarkullonin topin, ushtronin trysni por edhe sulmonin më tepër, sidomos në çerekorëshin e parë. Në këtë periudhë vlen të përmendet rasti i Latifit.

Megjithatë, hungarezët arritën të marrin veten dhe të rrezikojnë në dy raste, por goditjet shkuan mbi traun e portës. Me rezultatin 0-0 të dyja skuadrat shkuan në pushimin prej 15 minutash.

Në pjesën e dytë, kur luhej minuta e 55, një aksion nga krahu i majtë i hungarezëve përfundoi me topin mbrapa shpinës së Strakoshës, pasi Daniel Gera ishte më i shpejtë se lojtarët e mbrojtjes së kombëtares.

Megjithatë, në minutën e 69, pas një goditje dënimi krijohet një rrëmujë në zonën e miqve. Latifi godet, por topin e largon nga vija fatale një mbrojtës. Megjithatë, Latifi nuk dorëzohet që rimerr topin dhe ia jep Manajt i cili shënon nga afër për 1-1.

Pas barazimit Kombëtarja merr zemër dhe del e gjitha në sulm, duke tentuar golin e dytë. Kur luhej minuta e 79-të, Latifi krosoi bukur nga e majta dhe Prenga çon topin në rrjetë për 2-1.

Kuqezinjtë mundohen të administrojnë rezultatin, por në minutat e fundit rrezikojnë shumë, por sulmuesit e hungarezëve nuk arritën të ishin të saktë përballë Strakoshës.

Top Channel