Paqja afatgjatë në Siri mbetet ende e largët dhe një perspektivë gati e pamundur, nëse konsideron pengesat ushtarake dhe politike, vlerësojnë analistët.
Tarek Alabed, një analist politik në Damask, thotë se pavarësisht marrjes së Palmirës nga duart e Shtetit Islamik, forcat e qeverisë siriane kanë ende një rrugë të gjatë përpara për të eliminuar të gjitha grupet terroriste nga territori sirian: “Kemi një rrugë të gjatë për eliminimin e organizatave terroriste, përfshirë ISIS-in, pasi vetëm kur t’i kemi dëbuar jashtë Sirisë mund të kemi paqe reale në vend”.
Përveç sfidave ushtarake, edhe bisedimet për paqe mes qeverisë dhe palëve po zhvillohen në një terren mjaft të vështirë. Raundi i fundit i bisedimeve në Gjenevë u mbyll me një tekst prej 12 pikash të përbashkëta që iu paraqit për shqyrtim si qeverisë siriane, ashtu edhe opozitës nga i dërguari i posaçëm i OKB-së, Stafan de Mistura.
Çështja nëse Bashar al-Assadi duhet të largohet nga posti, një prej kërkesave kryesore të opozitës kjo, përplasi sërish palët dhe asnjëra prej tyre nuk duket se ka ndërmend të bëjë lëshime në këtë pikë. Gjithsesi, siç pohon një analist tjetër sirian, ndërsa palët po përpiqen për një tranzicion politik, vështirësi të tjera dalin në pah.
“Ka shumë pengesa, përfshirë listën e pjesëtarëve të Komitetit të Përkohshëm dhe formën e qeverisë së ardhshme, nëse do të jetë një sistem parlamentar apo presidencial”, thotë Alabed.
Analistët thonë se përfshirja në krizën siriane e lojtarëve të shumëfishtë, mes të cilëve SHBA-ja, Rusia dhe Turqia, konfliktet e brendshme sektare, ashtu si edhe pasiguri të tjera, po e bëjnë edhe më të vështirë arritjen e një paqeje afatgjatë dhe stabilitetit në vend.
Top Channel