Flamuri vorio-epiriot në Greqi, reagon FSHF: FIFA duhet të mbajë qëndrim

28/03/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar pas skandalit propagandistik që ndodhi në ndeshjen e futbollit mes Greqisë dhe Malit të Zi, duke akuzuar drejtpërdrejt organizatorin e ndeshjes, që në këtë rast është Federata greke e Futbollit.

Shpalosja e një flamuri gjigant në stadiumin ku u zhvillua ndeshja, që evokon një frymë të hapur urrejtjeje dhe nacionaliste, nuk përfaqëson thjesht një grup tifozësh ekstremistë, por dhe një mungesë të patolerueshme në organizimin dhe administrimin e ndeshjes nga ana e vendit pritës”, thuhet në deklaratën e FSHF-së.

Sipas Federatës, këto episode nuk kanë lidhje me futbollin dhe shkelin rëndë rregullat FIFA-s, prandaj ata do t’u drejtohen këtyre të fundit me një ankesë.

“Federata Shqiptare e Futbollit njofton opinionin dhe median se po përgatit një ankesë, e cila do t’u drejtohet komisioneve përkatëse të FIFA-s, të cilat duhet të mbajnë qëndrim për këtë rast, që nxit nacionalizmin dhe s’ka asnjë lidhje me frymën e ‘fair play’-t”, mbyllet reagimi i FSHF-së.

Top Channel