Përmbysja e Anglisë, Hodgson vlerëson kombëtaren

27/03/2016 00:00

Një superpërmbysje ndaj kampionëve të botës nuk ndodh çdo ditë dhe pikërisht për këtë paraqitja e kombëtares angleze të futbollit ndaj Gjermanisë është vlerësuar me superlativa.

Formacioni i Roy Hodgson ia doli të fitonte një miqësore luksi në minutat shtesë në “Olimpiastadion” të Berlinit, duke zhvlerësuar avantazhin komod të “panxerave”, një sfidë të cilën tekniku anglez e cilësoi mbrëmjen më të bukur të tij deri më tani në kombëtare.

Toni Kroos dhe Mario Gomez i dhanë një tjetër panoramë ndeshjes për ekipin më të fortë në planet, por talentët e Premier Leagues, Kane, Vardy dhe Dier përmbysën gjithçka.

“Gjithmonë shpreson se netët më të bukura do t’i kesh në të ardhmen dhe unë shpresoj se si kjo ndeshje ndaj Gjermanisë do të përsëritet, por deri tani është më e mira për mua. Na duhet të tregohemi të përulur në këto momente pasi kemi ende një rrugë të gjatë për të arritur nivelin e gjermanëve dhe atë që ata kanë arritur në vitet e fundit”, tha trajneri i Anglisë.

“Jam i kënaqur që futbollistët vazhduan formën e mirë, që pason lojën ndaj Francës dhe në një stadium ikonë ndaj kampionëve të botës. Edhe nëse do të ishin gjermanët që do të kishin shënuar në fund, sërish do të isha i gëzuar për mënyrën sesi u shfaqëm në fushë”, tha trajneri anglez.

Top Channel