Pashkët kremtohen edhe në Prishtinë, ftohet Papa Françesku

27/03/2016 00:00

Besimtarët e fesë katolike në Kosovë kremtuan mbrëmjen e së shtunës festën e Pashkëve. Mesha kryesore, e mbajtur në Katedralen “Nënë Tereza” të Prishtinës, është udhëhequr nga ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, i cili ndër të tjera tha se, mospajtimet brenda grupeve dhe individëve me përgjegjësi kolektive, me theks të veçantë tek aktet terroriste, shkaktojnë vdekjen e njerëzve të pafajshëm, duke shtuar dhimbjet e vuajtjet si në Lindje, ashtu dhe në Perëndim.

Në fjalën e tij, imzot Dodë Gjergji bëri të ditur se ka ftuar Papa Françeskun për shugurimin e Katedrales “Nënë Tereza” në Prishtinë, që pritet të bëhet në njëvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

“Shpresoj shumë që vitin e ardhshëm, në njëvjetorin e Shenjtërimit të Nënë Terezës, ta shugurojmë këtë Kishë, të cilën e kemi ndërtuar në nder të nënës sonë dhe në emër të të gjithë botës. E në emrin tuaj kam ftuar Papa Françeskun, që të vijë në shugurimin e kësaj kishe. Shpresoj shumë, që ai ta pranojë ftesën”, tha imzot Dodë Gjergji, ipeshkv i Kosovës.

Duke bërë thirrje për dashuri, imzot Dodë Gjergji ftoi të gjithë të kontribuojnë në shtetin laik dhe në shoqërinë shumëfetare, që të krijohet një ambient ku shteti nuk ka frikë nga qytetari besimtar, dhe ky i fundit të dallojë dhe dëgjojë virtytet e njerëzve, për t’i vënë në shërbim të së mirës së përbashkët.

Top Channel