Tiranë, Veliaj: Do të prishen ndërtimet që zenë hapësirën publike

26/03/2016 16:40

Projekti i Bashkisë së Tiranës për nisjen e punimeve në Sheshin “Skënderbej“ do të fillojë pas shembjes së ndërtimeve që zënë hapësirat publike përreth gjithë perimetrit të qendrës së qytetit.

Këtë e bëri me dije kreu i Bashkisë, Erion Veliaj, i cili tha se hapësirat publike që janë bllokuar në shkelje të ligjit do të pastrohen të gjitha.

“Kjo fundjavë është një fundjavë pune dhe aksioni. Do punohet në disa vende edhe të shtunën edhe të djelën. Kemi prishje të disa ndërtesave pa leje në qendër të Tiranës, pranë sheshit Skëndërbej, ose prapa Operës”, deklaroi Veliaj.

Ndërkohë, të shtunën bashkia e kryeqytetit vijoi me projektin e mbjelljes së pemëve në zona të ndryshme të Tiranës. Kryetari i bashkisë thotë se institucioni që drejton ka vendosur si normë, mbjelljen e njëmijë pemëve në çdo muaj të vitit.

“Sot kemi qenë tek rruga Mine Peza, rruga e Fortuzit, Hoxha Tasim dhe tek Bulevardi, që nuk i ka shpëtuar shkuljes së pemëve. E gjitha kjo, për t’u siguruar që asnjë hapësirë e dedikuar për pemë nuk rri bosh në Tiranë. 7 mijë pemë në 7 muaj është përgjigjia jonë për ata që nuk na kursejnë baltën”, tha Veliaj.

Lidhur me projektet që kanë në qendër të vëmendjes fëmijët, Bashkia ka përfunduar edhe hartën e këndeve të lojërave. 12 të tilla kanë nisur të ndërtohen dhe pritet të përfundojnë së shpejti në lagjet kryesore të Tiranës.

Top Channel