Kthehet Suarez, “paqe” mes Brazilit dhe Uruguajit

26/03/2016 00:00

Luis Suarez është kthyer të veshë sërish fanellën Uruguajit duke udhëhequr përfaqësuesen e tij drejt një barazimi të rëndësishëm 2-2 në transfertën ndaj Brazilit.

Sulmuesi që mbajti edhe shiritin e kapitenit, përfundoi dënimin e dhënë nga FIFA në vitin 2014, për shkak të kafshimit ndaj Chiellinit në Botërorin e atij viti.

Formacioni uruguajan u gjend në disavantazh prej dy golash në vetëm 26 minuta lojë, por djemtë e Tabarez nuk u dorëzuan duke marrë një pikë të rëndësishme në garën për një vend në Botërorin e Rusisë.

Luhej sekonda e 43 e ndeshjes, kur një top i Willian nga krahu i djathtë gjen këmbën e Douglas Costa që shënon për 1-0. Brazili sulmon dhe në të 26-n gjen golin e dytë me Auguston, i cili shfrytëzon një lëshim të Pereiras për të mashtruar fillimisht portierin dhe për të çuar topin në portën bosh.

Në daljen e parë të rrezikshme, miqtë shënojë golin e parë me Cavanin. Pereira kroson nga e majta dhe Sanchez i jep një top sulmuesit të PSG i cili nuk mendon dy herë për të gjuajtur dhe 2-1. Tre minuta pasi filloi pjesa e dytë, Luis Suarez arrin të shënojë me një gjuajtje të fuqishme duke barazuar rezultatin.

Me kalimin e minutave, formacioni i Tabarez tregohet më agresiv, ndërkohë që arritën të mbyllnin të gjitha hapësirat për Willian e Costa.

Mbrojtja vazhdon të çalojë tek formacioni i Dungës, me David Luiz që mbetet “hallka më e dobët”, i cili në tre raste gaboi duke i dhënë mundësi uruguajianëve të shënojnë edhe golin e fitores, por Alisson u tregua i jashtëzakonshëm.

Ndërkohë, pas këtij barazimi, Uruguaji ruan vendin e dytë në grupin e Amerikës së Jugut me 10 pikë. Brazili mbetet në vendin e tretë me 8 pikë, aq sa kanë edhe Paraguaji i vendit të katërt dhe Argjentina e vendit të pestë. Grupi kryesohet nga Ekuadori që ka grumbulluar 13 pikë nga 5 ndeshje.

Top Channel