Grand Prix Tbilisi, medalje argjendi për Gjakovën

26/03/2016 00:00

Edhe pse ishte një prej favoriteve kryesore për triumfin final në turneun e Tbilisit në Gjeorgji, xhudistja kosovare, Nora Gjakova është ndalur vetëm në finale nga beteja për të marrë medaljen e artë.

Sportistja nga Kosova nuk ka arritur ta përmbushë objektivin në turneun Grand Prix në Tbilisi, por regjistroi gjithsesi një rezultat pozitiv në prag të Lojërave  Olimpike të Rios.
 
Nora Gjakova bëri një paraqitje mbresëlënëse në këtë turne, por në finale u mposht nga braziliania Rafaela Silva, me “ippon”.

Gjatë rrugës drejt finales, sportistja ballkanase mposhti fillimisht kinezen Yang Liu, pastaj izraeliten Camila Minakawa, hungarezen Hedvig Karakas dhe në gjysmëfinale francezen Automne Pavia.

Duhet theksuar se garuesit nga Kosova në këtë turne janë duke u paraqitur me flamurin e IJF-së, pasi autoritetet gjeorgjiane nuk kanë lejuar që xhudistët e shtetit shqipfolës të paraqiten me flamurin shtetëror të Kosovës.

Gjeorgjia bën pjesë në shtetet që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Top Channel