Refugjatët, Aleanca Globale: Të respektohen të drejtat e Njeriut 

25/03/2016 00:00

Aleanca Globale për të Drejtat e Njeriut ka miratuar një deklaratë për krizën migratore, ku ka përfshirë dhe rezolutën e Organiztës së Ombudsmanëve të Mesdheut, kreu i së cilës është Avokati i Popullit, Igli Totozani.

Në këtë deklaratë, Aleanca kërkon garantimin e të drejtave të njeriut. Deklarata është miratuar në takimin e 29-të vjetor të Komitetit Ndërkombëtar Koordinues të Institucioneve Kombëtare të Promovimit dhe Mbrojtjes së të Drejtave të Njeriut (IÇ), në Gjenevë, Zvicër.

Avokati i Popullit zhvilloi edhe disa takime të veçanta me personalitete të rëndësishme të institucioneve ndërkombëtare të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Totozani u takua me Zv. Komisioneren e Lartë për të Drejtat e Njeriut në OKB, Kate Gilmore, e cila vlerësoi punën e bërë nga institucioni i Avokatit të Popullit dhe Organizata e Ombudsmanëve të Mesdheut (AOM) për angazhimin në mbrojtje të parimeve themelore të të drejtave të njeriut, sidomos në krizën e flukseve migratore.

Z. Totozani u takua edhe me Ambasadorin Keith Harper, Përfaqësues i SHBA-ve në Këshillin e të Drejtave të Njeriut në OKB. 

Top Channel